Arratisja e Altin Ndocit/ A e ndihmuan dy personat që i shkonin në takime? Arrestohen drejtori i burgut dhe mjekja e infektivit

Edmond Gjyzeli dhe Izmir Kusi janë dy persona që po verifikohen nga grupi hetimor, pasi dyshohet se gjatë muajve të fundit kanë zhvilluar disa takime me Altin Ndocin në paraburgimin e Durrësit.

Sipas burimeve nga hetimi, të dy emrat rezultojnë të skeduar nga organet e drejtësisë dhe ekzistojnë dyshime se mund të kenë qenë të përfshirë ose të kenë pasur dijeni për planin e arratisjes së Ndocit. Hetimet ndodhen ende në fazë paraprake dhe po punohet për sigurimin e provave që mund të konfirmojnë ose përjashtojnë përfshirjen e tyre. Deri më tani nuk dihet nëse hetuesit kanë arritur t’i lokalizojnë për t’i marrë në pyetje.

Ndërkohë, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtorin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, Indrit Cërloj. Ai akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci.

Në kuadër të të njëjtit hetim, është arrestuar edhe mjekja Ylvete Sema, 65 vjeçe, ndaj së cilës gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Dy ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, firmosi shkarkimin e Indrit Cërloj nga detyra e drejtorit të IEVP Durrës. Vendimi u mor një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit, i cili ishte shoqëruar për kontroll mjekësor në spitalin e qytetit.