Vrasja e Martin Çeços/ Apeli liron nga qelia autorët e dyshuar, babai i viktimës shpërthen mes lotësh: “ Do të marr bidonin me benzinë dhe do t’i përvëloj”

Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi sot ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për tre autorët e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço.

Valter Mollaj, kushëriri i tij Edlir Mollaj dhe çobani Bleti Angjo u liruan nga qelia me argumentin se kishte përfunduar afati maksimal i paraburgimit për ta. Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga familjarët e viktimës.

Mes lotësh dhe i zhgënjyer nga drejtësia, babai i të ndjerit, Nevzat Çeço, ka reaguar ashpër pas vendimit të Apelit, duke paralajmëruar edhe vetëgjyqësi.

“Nuk kam çfarë të them më. Djali më iku pa asnjë faj. Drejtësia më zhgënjeu. Nuk më dhibset jeta fare. Le të më arrestojnë, unë do t’ua marr hakun djalit tim,” është shprehur ai në gjendje të rëndë emocionale.

Martin Çeço u vra në qershor të vitit 2022. Sipas hetimeve, 26-vjeçari u mbyt dhe më pas trupi i tij u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq. Ai u gjet dy ditë pasi familja kishte denoncuar zhdukjen e tij.

Në këtë ngjarje të rëndë dyshohet se është e përfshirë edhe Martina Pajollari, e dashura e viktimës, e cila sipas dosjes hetimore ka qenë dëshmitare e ngjarjes. Hetimet kanë zbuluar se ajo kishte lidhje intime me Martin Çeçon, por njëkohësisht edhe me Valter Mollajn, një nga autorët e dyshuar.

Sipas prokurorisë, konflikti dyshohet se ka shpërthyer pasi Mollaj ka zbuluar marrëdhënien paralele, ndërsa vajza i ka pohuar se Çeço e mbante me detyrim, pretendim që mbetet pjesë e hetimit.

Ngjarja tronditi opinionin publik për shkak të rrethanave të rënda dhe mënyrës se si u ekzekutua i riu. Vendimi i sotëm i Apelit pritet të pasohet nga reagime të tjera, ndërsa familjarët e viktimës kërkojnë drejtësi dhe dënim maksimal për autorët e dyshuar.