Pas disa muajsh kërkimesh, është gjetur trupi i pajetë i 35-vjeçares shqiptare Floresha Prengu, e cila rezultonte e zhdukur që prej datës 22 tetor në Trento të Italisë.
Gruaja ishte parë për herë të fundit në qendër të qytetit, ndërsa më pas humbi çdo kontakt me familjarët. Trupi i saj u gjet rreth 40 kilometra larg banesës, përgjatë lumit Adige.
Kanë qenë familjarët ata që kanë bërë identifikimin e trupit, duke shpresuar deri në momentet e fundit për një përfundim tjetër të kësaj ngjarjeje.
Menjëherë pas zhdukjes, familja kishte njoftuar autoritetet dhe kishte bërë apel publik, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve dhe kontaktimin e numrit të emergjencës 112 në rast se kishin informacion.
Në ditët pasuese u organizua një operacion i gjerë kërkimi në zonën e Trentos, me përfshirjen e patrullave përgjatë lumit Adige, zjarrfikësve vullnetarë dhe një helikopteri për kontrolle ajrore, por pa rezultate konkrete.
Kërkimet u shtrinë edhe përtej territorit të Trentinos, ndërsa për zhdukjen e Floresha Prengut u njoftuan të gjitha prefekturat italiane. Rasti u pasqyrua gjithashtu edhe në mediat shqiptare.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.