Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se në Iran “vrasjet kanë ndaluar”, ndërsa administrata amerikane po vijon të shqyrtojë mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake, pas javësh protestash antiqeveritare dhe një goditjeje të ashpër nga autoritetet iraniane.
Sipas Trump, autoritetet iraniane kanë anuluar edhe ekzekutimet e planifikuara ndaj protestuesve të arrestuar. Megjithatë, ai theksoi se Uashingtoni nuk e ka përjashtuar opsionin e veprimit ushtarak. Paralelisht, administrata amerikane njoftoi vendosjen e sanksioneve të reja ndaj zyrtarëve iranianë që dyshohet se kanë luajtur rol kyç në shtypjen e protestave.
Ndërkohë, Teherani po shfaq disa shenja të rikthimit drejt normalitetit, por qytetarë iranianë shprehen se ende jetojnë me frikën e një ndërhyrjeje të mundshme nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas një organizate për të drejtat e njeriut me bazë në SHBA, të paktën 2,400 protestues janë vrarë që nga nisja e represionit shtetëror ndaj kundërshtimeve. Po ashtu, një bllokadë e komunikimeve e vendosur nga autoritetet iraniane ka zgjatur gati një javë.
Në këtë klimë tensioni, burime për CNN bëjnë me dije se disa pjesëtarë të personelit amerikan janë këshilluar të largohen nga një bazë ushtarake e SHBA-së në Katar, si masë paraprake sigurie. Po ashtu, disa shtete u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Irani, ndërsa linja ajrore ndërkombëtare kanë nisur të devijojnë fluturimet për të shmangur hapësirën ajrore iraniane.