Mario Nikprelaj, 24-vjeçari shqiptar që shkaktoi panik në një avion të linjës Delta Airlines, është dënuar me 18 muaj burg nga autoritetet amerikane, pasi tentoi të hapte derën e emergjencës gjatë fluturimit dhe u përlesh me anëtarë të ekuipazhit, duke detyruar avionin të kryente një ulje emergjente.
Sipas mediave amerikane, Nikprelaj u dënua të martën pasi u deklarua fajtor për ndërhyrje në punën e anëtarëve të ekuipazhit dhe shoqëruesve të fluturimit gjatë një fluturimi SkyWest, nga Nebraska drejt Detroitit, në korrik të vitit të kaluar. Lajmi u konfirmua nga Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Verior të Ajovës.
Përveç dënimit me burg, shqiptari do të vuajë edhe dy vite lirim të mbikëqyrur pas përfundimit të dënimit. Ai është banor i Shelby Township, Michigan.
Sipas prokurorëve, Nikprelaj nisi të shkaktonte probleme që përpara ngritjes së avionit të fluturimit 3612 të Delta Connection, të operuar nga SkyWest Airlines, në aeroportin Eppley të Omaha-s. Ai dyshohet se bëri deklarata shqetësuese dhe të papërshtatshme ndaj pasagjerëve dhe ekuipazhit, si dhe refuzoi të vendoste rripin e sigurimit.
Situata u përkeqësua gjatë ngritjes së avionit, kur 24-vjeçari vazhdimisht hoqi rripin e sigurimit dhe u ngrit në këmbë, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga ekuipazhi.
Në një moment, Nikprelaj sulmoi një asistente fluturimi 80-vjeçare, duke e rrëzuar dhe më pas duke e goditur në gjoks, ndërsa sipas prokurorëve e kërcënoi edhe me vrasje kur iu tha se do të njoftoheshin autoritetet.
Pas një periudhe ku dukej sikur ishte qetësuar, paniku shpërtheu sërish kur pasagjerët vunë re se Nikprelaj po manipulonte derën e emergjencës së avionit, duke shtypur butonat e thirrjes së urgjencës. Si pasojë, avioni u devijua dhe kreu një ulje emergjente në Cedar Rapids, Iowa.
Gjatë uljes, shqiptari u ngrit sërish, hoqi këmishën dhe filloi të ecte në mënyrë agresive në korridor. Ekuipazhi u detyrua t’u kërkonte ndihmë pasagjerëve për ta neutralizuar, ndërsa Nikprelaj reagoi me dhunë ndaj tre prej tyre dhe tentoi t’i godiste me grusht.
Pas ndalimit të tij, autoritetet gjetën në posedim të Nikprelajt një shishe me 41 pilula të dyshuara Xanax, që nuk ishin të përshkruara në emrin e tij.
Ai u akuzua për një sërë veprash penale, përfshirë sjellje të çrregullt, sulm, posedim të paligjshëm të barnave me recetë, shkelje të pullës tatimore dhe ngacmim të shkallës së parë. Sipas autoriteteve, Nikprelaj ka një të kaluar kriminale, me dënime të mëparshme për sulm ndaj një oficeri policie, dhunë në familje dhe vepra penale të lidhura me drogën.