Prej tre ditësh, në Spitalin Onkologjik në Tiranë është ndalur një nga shërbimet më jetike për pacientët që vuajnë nga kanceri: radioterapia. Shkak është dalja jashtë funksionit e dy akseleratorëve të vetëm që ndodhen në këtë spital.
Sipas gazetarit Osman Stafa, të dy pajisjet janë aktualisht të papërdorshme. Njëri prej bunkërëve ka mbetur jashtë pune për shkak të një dere të dëmtuar, ndërsa akseleratori tjetër ka probleme serioze me funksionalitetin.
Çdo ditë, rreth 100 pacientë paraqiten në Onkologjik për të kryer seancat e rrezeve, siç e parashikon protokolli mjekësor. Por prej tre ditësh, trajtimi i tyre është ndërprerë, duke i lënë ata në një situatë dramatike, ku lufta kundër sëmundjes është pezulluar.
Dy paciente që folën për News24 dhe BalkanWeb përshkruan mes lotësh gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen.
Gazetari: Ke ardhur sot për të bërë rrezet?
Pacientja: “Erdha dje, aparati i prishur. Erdha sot, aparati i prishur. Edhe sa do vuaj unë? Paguaj makinë që të më marrë e të më çojë, vetëm për të bërë një rreze. I lutem Kryeministrit të vërë dorë, sepse ne po luftojmë për jetën.”
Pacientja thekson se ndërprerja e trajtimit rrezikon drejtpërdrejt shanset për shërim.
“Doktori thotë që nëse nuk i bëj rrezet, nuk do ketë efektin e duhur. Nuk e mendoja kurrë se do të vija në Onkologjik, por të paktën të na ndihmojnë. Kryeministri erdhi para 10-15 ditësh këtu, të na bëjë një spital të ri, sepse ne po luftojmë me jetën tonë.”
E detyruar të largohet pa trajtim, ajo thotë se do të rikthehet sërish, pavarësisht lodhjes dhe kostove.
“Do kthehem në shtëpi dhe nesër do vij prapë. Nuk kam çfarë të bëj tjetër. Do luftoj për të jetuar, aq sa të ma japë Zoti.”
E njëjta situatë dramatike raportohet edhe nga pacientë të ardhur nga rrethet. Një zotëri nga Malësia e Madhe shprehet se prej tre ditësh po endet kot në Onkologjik.
“Jam nga Malësia e Madhe. Kam ardhur të bëj rreze dhe më thonë që pajisja nuk punon. Bëj përgjegjëse qeverinë. Jemi të mbaruar kështu.”
Ndërprerja e radioterapisë, edhe për pak ditë, mund të ketë pasoja të rënda për pacientët onkologjikë, të cilët ndodhen në një garë me kohën për jetën. Deri më tani, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë mbi afatin se kur pajisjet do të rikthehen në funksion.