Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja lidhur me arratisjen e bujshme të Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi zbatimin e protokolleve të sigurisë dhe vlerësimin e rrezikshmërisë së tij ndër vite.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Lala u shpreh se arratisja nuk mund të konsiderohet spontane, por e organizuar dhe e menduar më herët. Sipas saj, Ndoci konsiderohej “krahu i armatosur” i organizatës kriminale të drejtuar nga Franc dhe Hajdar Çopja dhe kishte një rol kyç në aktivitetin e tyre kriminal.
“Arratisja e një personi të këtij kalibri nuk mund të ndodhë rastësisht. Ai akuzohet për katër vrasje dhe kishte një vlerë të jashtëzakonshme për organizatën kriminale. Në komunikimet e SKY ECC, anëtarët e kësaj organizate shfaqen të shqetësuar për arrestimin e tij, pasi nuk kishin më kush të kryente vrasjet për llogari të tyre”, tha Lala.
Gazetarja ngriti shqetësimin se që nga viti 2020, Altin Ndoci mbahej në paraburgimin e Durrësit, një institucion që nuk ka regjim sigurie të lartë, pavarësisht profilit të tij kriminal. Sipas saj, nuk ka pasur një hetim të thelluar nga prokuroria për mënyrën se si është vlerësuar rrezikshmëria e tij, as një rivlerësim të vazhdueshëm të riskut apo analiza psikologjike për prirje arratisjeje.
Duke folur për ditën e arratisjes, Lala theksoi se protokollet nuk janë zbatuar. Ajo tha se Ndoci është shoqëruar në spital bashkë me një tjetër të paraburgosur dhe vetëm gjashtë punonjës të policisë së burgjeve, ndërkohë që për persona me akuza të rënda kërkohet prani më e shtuar e forcave të sigurisë, përfshirë forcat elitare dhe njoftimin e Policisë së Shtetit.
“Edhe pse spitali i Durrësit ka pavione të përshtatura për të paraburgosurit, nuk ka pasur asnjë patrullë policie në hyrje-dalje. Pas arratisjes, nuk u pa asnjë reagim proporcional me rrezikun: nuk pati bllokim rrugësh, dronë, kërkim me qen, apo helikopter. Për një person të këtij profili, reagimi ishte inekzistent”, u shpreh Lala.
Sipas saj, Ndoci kishte kryer ekzaminimet mjekësore, kishte shkuar në tualet dhe në momentin e daljes kishte goditur dy punonjës, ndërsa jashtë e priste një automjet për t’u larguar.
Gazetarja rikujtoi se Ndoci ishte arrestuar në vitin 2020 pas dëshmisë së Klevis Allës, i cili e implikonte në dy vrasje. Kjo dëshmi më pas u rrëzua pas pendesës së Nuredin Dumanit. Megjithatë, nga zbërthimi i komunikimeve në SKY ECC, sipas Lalës, del qartë se organizata kriminale e konsideronte Ndocin personin që “u mbaronte punë” dhe kishte bërë përpjekje të hershme për ta nxjerrë nga burgu.
“I gjithë zinxhiri, nga vlerësimi i rrezikut deri te reagimi pas arratisjes, nuk ka funksionuar”, përfundoi Lala.