Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka vendosur pezullimin e procesimit të vizave të emigracionit për Shqipërinë, duke nisur nga data 21 janar, pa një afat të përcaktuar për përfundimin e masës.
Vendimi konfirmohet nga një memorandum i brendshëm i Departamentit të Shtetit, i siguruar fillimisht nga Fox News Digital, i cili u udhëzon zyrtarëve konsullorë që të refuzojnë aplikimet për viza emigracioni në përputhje me ligjin ekzistues, ndërkohë që po kryhet një rishikim i thelluar i procedurave të kontrollit dhe verifikimit.
Sipas dokumentit, pezullimi do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e një rivlerësimi të plotë të procesit të dhënies së vizave të emigracionit.
Në nëntor të vitit 2025, DASH kishte dërguar një udhëzim të ri në të gjitha përfaqësitë diplomatike amerikane, duke kërkuar zbatim më rigoroz të dispozitës “public charge” të ligjit të emigracionit. Kjo dispozitë parashikon refuzimin e vizave për aplikantët që vlerësohen se mund të mbështeten në përfitime publike në SHBA.
Në këtë kuadër, zyrtarët konsullorë janë udhëzuar të marrin në konsideratë një sërë faktorësh, përfshirë gjendjen shëndetësore, moshën, njohuritë e gjuhës angleze, situatën financiare, historikun e përdorimit të ndihmave shtetërore si dhe nevojën e mundshme për kujdes shëndetësor afatgjatë.
Sipas udhëzimeve, aplikantë të caktuar, përfshirë persona në moshë të avancuar, mbipeshë ose ata që kanë përfituar më parë ndihmë publike, mund të konsiderohen të papërshtatshëm për vizë emigracioni.
“Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij për të shpallur të papërshtatshëm emigrantët e mundshëm që mund të bëhen barrë publike për Shtetet e Bashkuara dhe të përfitojnë nga fondet e taksapaguesve amerikanë,” deklaroi zëdhënësi i DASH, Tommy Piggott.
Sipas Fox News, Shqipëria është një nga 75 shtetet për të cilat do të pezullohet shqyrtimi i vizave të emigracionit duke nisur nga 21 janari.
Lista e vendeve të prekura përfshin, ndër të tjera: Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, si dhe dhjetëra shtete nga Afrika, Azia, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine.