Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit kanë hyrë në një fazë kritike, ndërsa gjithnjë e më shumë sinjale tregojnë se një përplasje e drejtpërdrejtë ushtarake mund të ndodhë brenda orëve në vijim.
SHBA ka nisur evakuimin e qindra trupave nga Baza Ajrore Al Udeid në Katar, baza më e madhe ajrore amerikane në Lindjen e Mesme. Sipas Reuters, largimi i personelit amerikan po zhvillohet edhe nga baza të tjera në rajon, ndonëse autoritetet nuk kanë bërë publike vendndodhjet konkrete.
Një zyrtar europian ka paralajmëruar se Amerika mund të ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj Iranit brenda 24 orëve të ardhshme. Në të njëjtën linjë, një zyrtar izraelit ka deklaruar se presidenti Donald Trump duket se ka marrë tashmë vendimin për të ndërhyrë, megjithëse ende nuk janë përcaktuar qartë koha dhe përmasat e operacionit.
Burime pranë administratës amerikane bëjnë me dije se Trump është gjithnjë e më i bindur për nevojën e një veprimi të ashpër kundër regjimit iranian, për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave antiqeveritare në Teheran. Të martën, presidenti mori pjesë në një takim mbi dy orë me zyrtarë të lartë të administratës, ku u diskutuan skenarë të ndryshëm dhe u prezantuan vlerësimet më të fundit mbi situatën në Iran dhe numrin e viktimave.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Irani ka rritur ndjeshëm tonin kërcënues ndaj presidentit amerikan. Sipas AFP, televizioni shtetëror iranian transmetoi një mesazh të drejtpërdrejtë kërcënues, duke deklaruar se: “Plumbi këtë herë nuk do ta humbasë objektivin”.
Mesazhi shoqërohej me referenca ndaj atentatit të korrikut 2024 ndaj Donald Trump, ku një plumb e goditi në vesh gjatë një aktiviteti publik. Ky konsiderohet kërcënimi më i fortë dhe më i hapur i Teheranit ndaj Trump deri më tani.
Përshkallëzimi i retorikës nga të dyja palët ka ngritur alarmin ndërkombëtar, ndërsa Lindja e Mesme duket se po i afrohet një tjetër përplasjeje të madhe me pasoja të paparashikueshme.