Një histori intime brenda familjes, e shoqëruar me një borxh prej 500 mijë eurosh të papaguar për grabitjen e Rinasit, ka qenë shkaku i vërtetë i krisjes fatale mes katër miqve të dikurshëm të botës së krimit: Talo Çela, Altin Ndoci, Nuredin Dumani dhe Dashnor Dumani.
Detajet tronditëse dalin nga dëshmitë e dhëna në SPAK nga Erjon Alibej, i akuzuar fillimisht për financimin e një sërë vrasjesh, por që më pas u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë. Sipas tij, përplasja mes grupit nuk ishte vetëm për para, por edhe për një marrëdhënie sentimentale të fshehtë mes Talos Çelës dhe një gruaje brenda familjes së Dumanëve.
Konflikti kishte degraduar deri në përleshje fizike. Altin Ndoci dhe Dashnor Dumani janë përfshirë në një sherr të dhunshëm në Durrës, ku sipas dëshmive, situata ka dalë jashtë kontrollit.
Ky episod përmendet jo vetëm në rrëfimet e Nuredin Dumanit, por edhe në deklarimet e mëvonshme të Erjon Alibejt, të dhëna më 12 korrik 2023 përpara tre oficerëve të policisë gjyqësore.
Alibej rrëfen një bisedë të zhvilluar në shtëpinë e tij në Elbasan, ku Nuredin Dumani ishte strehuar për një periudhë kohe, në bazat e Alibejt dhe Arjan Spahisë. Në këtë bisedë, Dumani i ka treguar për konfliktin e ashpër mes vëllait të tij Dashnor dhe Altin Ndocit:
“Në periudhën që pata ardhë nga Franca… kishin pas konflikt shumë të fortë Dashi me Altinin. I nxjerr vëllait tim pistoletën ai, dhe Dashi, që është i madh, çohet dhe i gjuan me grushta. Altini hypën në makinë, Dashi i gjuan me gurë dhe i thyen xhamin e makinës, dhe ikën…”
Sipas rrëfimit, pas këtij episodi ka ndërhyrë Talo Çela, i cili për një kohë ka luajtur rolin e ndërmjetësit për të shuar konfliktet brenda grupit. Por pikërisht ai, sipas Dumanit, ishte burimi i tradhtisë më të madhe.
“Talo ka qenë gjithmonë ndërmjetës për të shujt sherrin… por unë kam bindje të plotë, nuk ma ndryshon njeri mendjen, që në periudhën që flinte te shpia ime, me kalamajt e mi, me grun time, me nanën, me motrën, me nusen e Dashit… ka shku me nusen e vëllait tim. Ne e kemi majt në shpi atë legen…”
Por përplasja nuk ndalonte vetëm te historia intime. Në qendër të konfliktit ishte edhe një borxh i madh financiar, i lidhur me grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit.
Sipas Alibejt, Nuredin Dumani i ka deklaruar se Talo Çela i kishte premtuar 500 mijë euro për këtë grabitje, por nuk ia kishte dhënë kurrë.
“Talo Çela ma pati premtu 500 mijë euro për grabitjen e Rinasit. Më ka majt gjithë kohën var. Sot jam pa buk, shpia ime është pa buk. Këta kanë marrë miliona dhe s’më kanë dhanë asnjë lek…”
Alibej shprehet se në atë periudhë nuk ishte i qartë për borxhet e sakta mes tyre, por thekson se shifra prej 500 mijë eurosh është përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe lidhet pikërisht me grabitjen në Rinas.
“500 mijë euro, ekzakt, lidhje me grabitjen e Rinasit… dhe kur e pyeta ‘po pse grabitjen e Rinasit, këta e kanë ba?’, më tha: ‘Po’.”
Këto dëshmi hedhin dritë mbi prapaskenat e një prej përçarjeve më të përgjakshme në botën e krimit, ku tradhtia, paratë dhe pushteti u kthyen në shkakun e një zinxhiri vrasjesh dhe përplasjesh që më pas u zbardhën nga SPAK.