Pas arratisjes së ndodhur një ditë më parë nga Spitali Rajonal i Durrësit të të burgosurit Altin Ndoci, një tjetër incident është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit.
Këtë herë, bëhet fjalë për publikimin e një audioregjistrimi në rrjetin social Instagram, i atribuar të dënuarit Fatmir Pjetri, i cili vuan dënimin në këtë institucion dhe është i dënuar si pjesë e të ashtuquajturës “Banda e Babagjyshëve”.
Në audioregjistrimin e publikuar në një profil që mban emrin e tij, Pjetri hedh akuza ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke pretenduar se po diskriminohet në lidhje me librin që ka shkruar, madje ka bërë dhe tag institucionin. Sipas tij, autoritetet nuk e kanë lejuar promovimin e librit me titull “Jetë e guximshme”, me argumentin se përmban elementë dhune.
View this post on Instagram
Vetëm pak minuta pas publikimit të regjistrimit audio në rrjetet sociale, Drejtoria e Burgut të Sigurisë së Lartë në Burrel ka urdhëruar ushtrimin e një kontrolli të imtësishëm në qelinë ku qëndron i dënuari Pjetri.
Burime bëjnë me dije se kontrolli është kryer për të verifikuar dyshimet se audioregjistrimi mund të jetë realizuar brenda qelisë përmes një aparati celular, send i ndaluar në ambientet e vuajtjes së dënimit.
Autoritetet pritet të japin informacion zyrtar në orët në vijim lidhur me rezultatet e kontrollit dhe verifikimet përkatëse.