Pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit, qetësia ka marrë fund në burgun e Durrësit, të cilin opinioni publik prej vitesh e njeh si “burgu-hotel” për shkak të kushteve dhe komoditetit që ofron.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka reaguar menjëherë duke urdhëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të hartojë një plan të ri riorganizimi, që parashikon kalimin në “sitë” të të gjithë të dënuarve dhe të paraburgosurve që ndodhen aktualisht në këtë institucion.
Në total, 206 persona – 54 të dënuar dhe 152 të paraburgosur – do t’i nënshtrohen një rivlerësimi të thelluar të rrezikshmërisë shoqërore, me qëllim rishpërndarjen e tyre në qeli dhe institucione të tjera të vuajtjes së dënimit.
Pika kyçe e urdhrit të ministrit është transferimi i menjëhershëm i të gjithë personave me rrezikshmëri të lartë, të cilët deri më tani qëndronin në burgun e Durrësit, drejt një prej shtatë burgjeve të sigurisë së lartë në vend.
Sipas informacioneve të Report Tv, në një seksion të veçantë të burgut të Durrësit ndodhen aktualisht 27 persona të botës së krimit, të konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Mes tyre ishte edhe Altin Ndoci, i cili u arratis pas një vizite mjekësore, si dhe emra të njohur si Lulzim Berisha.
Burgu i Durrësit njihet gjithashtu si “burgu i VIP-ave”. Në këtë institucion kanë vuajtur më herët masa sigurie dhe dënime figura të njohura politike dhe zyrtarë të lartë, si ish-ministri Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, të cilët tashmë janë në liri.
Aktualisht, në burgun e Durrësit vijojnë të qëndrojnë ish-deputeti Jurgis Çyrbja, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, si edhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë të akuzuar nga SPAK dhe në proces gjykimi.
Gjatë kontrolleve të herëpashershme në këtë institucion janë zbuluar edhe telefona celularë të fshehur në ambientet e jashtme të burgut, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë dhe menaxhimin e tij.
Në rang vendi, Shqipëria ka 20 institucione të vuajtjes së dënimit, nga të cilat 7 kanë seksione të sigurisë së lartë, përfshirë burgjet e Peqinit, Fierit, Korçës, Burrelit, si dhe institucionet 313 dhe 325 në Tiranë.