Rama i kërkoi publikisht që t’i thotë “më fal”, Blendi Fevziu nuk tërhiqet: “Kryeministri të ketë kurajo të vijë në studio”

Përplasja publike mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarit Blendi Fevziu po vijon prej disa ditësh përmes reagimeve në distancë. Pas deklaratës së fundit të bërë mëngjesin e sotëm nga kreu i qeverisë që ka kërkuar ndjesën e gazetarit për akuzat se ministrat fluturojnë fundjavave me avionë privatë, ka ardhur edhe kundërpërgjigjja e Fevziut, i cili thekson se ky do të jetë reagimi i tij i fundit lidhur me këtë debat.

Gazetari sqaron se diskutimi është zhvendosur te një detaj dytësor, ndërsa thelbi i çështjes, sipas tij, lidhet me mënyrën se si ministrat dhe drejtuesit e lartë të mazhorancës komunikojnë me publikun dhe median. Fevziu e cilëson këtë stil si skandaloz, unik dhe të papranueshëm për standardet europiane, duke e përshkruar si një fenomen “Made in Albania”.

Sipas tij, problemi nuk qëndron te fakti se ku ndodheshin ministrat në momentet kur dilnin “live”, por te modeli i komunikimit që ata kanë ndërtuar prej vitesh, duke shmangur llogaridhënien për çështje të rëndësishme dhe duke preferuar dalje publike pa përballje me pyetje kritike.

“Nëse Kryeministri gjen një rast të dytë në Europë ku ministrat bëjnë ‘muhabet’ në televizion me drejtorët, atëherë ka të drejtë. Por kjo është MADE IN ALBANIA! Për turp!”, shkruan Fevziu, duke shtuar se nuk do të ketë reagime të tjera nga ana e tij, derisa kryeministri të pranojë të dalë në studio për të dhënë llogari për çështje konkrete.

Ai thekson se Rama mund të paraqitet në çdo moment në emision për të diskutuar tema si AKSHI, ministrja Balluku, akuzat e Arben Ahmetajt dhe problematika të tjera që, sipas tij, kërkojnë shpjegime të drejtpërdrejta për publikun.

Fevziu përfundon duke nënvizuar se debati nuk ka të bëjë me individë apo udhëtime konkrete, por me një kulturë politike dhe komunikimi që, sipas tij, nuk gjendet askund tjetër në Europë dhe përbën një problem serioz për transparencën dhe demokracinë në vend.

 

View this post on Instagram