Arratisja e të paraburgosurit Altin Ndoci gjatë një vizite mjekësore në Spitalin Rajonal të Durrësit ka shkaktuar tronditje të fortë në drejtimin e institucionit të vuajtjes së dënimit. Si pasojë e ngjarjes, janë pezulluar nga detyra gjithsej 10 persona, mes tyre drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, zv/drejtori dhe mjeku i institucionit.
Sipas informacioneve paraprake, Ndoci u arratis ditën e sotme gjatë kryerjes së vizitave mjekësore, ku nuk ndodhej i vetëm, por shoqërohej edhe nga një tjetër i paraburgosur. Për shoqërimin e tyre ishin angazhuar pesë punonjës të Policisë së Burgjeve: tre për shoqërimin e drejtpërdrejtë dhe dy të tjerë që qëndronin në një furgon policie të parkuar pranë spitalit.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në një moment Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe është shoqëruar nga dy efektivë. Sapo ka dalë nga ambientet e tualetit, ai dyshohet se ka goditur të dy punonjësit në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë, duke përfituar nga situata për t’u larguar me shpejtësi.
Pas arratisjes, një prej punonjësve të Policisë së Burgjeve e ka ndjekur Ndocin, duke qëlluar një herë në ajër, por pa arritur ta ndalojë. Dyshohet se i paraburgosuri është pritur nga një automjet tip “Audi”, me të cilin është larguar në drejtim të zonës së Spitallës.
Altin Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, ai u arrestua rreth gjashtë vite më parë nga SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Ndoci akuzohet për vrasje me pagesë, konkretisht për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, ngjarje për të cilën u implikua nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Sipas dosjes hetimore, Ndoci ishte rekrutuar nga Talo Çela dhe kishte vepruar si vrasës me pagesë për llogari të organizatës kriminale Çopja, në kuadër të përplasjeve të dhunshme mes grupeve rivale kriminale.
Ndërkohë, autoritetet kanë ngritur grupe të posaçme për kapjen e tij dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të arratisjes, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë individuale të personelit të përfshirë.