Qeveria shqiptare po finalizon shtetëzimin e koncesionit të sterilizimit përmes krijimit të një kompanie publike, dhjetë vite pas nënshkrimit të kontratës së partneritetit publik-privat, e cila i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 114 milionë euro dhe është shoqëruar me një proces penal ndaj ish-zyrtarëve të lartë të shëndetësisë, raporton Birn.
Më 30 dhjetor 2025, Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e një shoqërie aksionare në pronësi 100% të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila do të marrë përsipër ofrimin e shërbimeve të sterilizimit në institucionet shëndetësore publike, duke zëvendësuar kompaninë koncesionare “SaniService”, e cila ndodhet nën sekuestro që prej janarit 2024.
Shoqëria e re, e emërtuar “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit” (OSHIS sh.a), do të ofrojë kundrejt pagesës shërbimet e sterilizimit për spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake. Sipas vendimit të qeverisë, OSHIS sh.a do të ketë një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, që do të financohet nga fondi i shpenzimeve kapitale të programit “Shërbime të kujdesit dytësor” pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Në vijim, kompania parashikohet të vetëfinancohet nga të ardhurat e gjeneruara nga shërbimet që ofron.
Koncesioni i sterilizimit është një nga katër kontratat kryesore të partneritetit publik-privat në sektorin e shëndetësisë, të dhëna gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, për të cilat Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar hetime të thelluara, tashmë të përfunduara në fazën e gjykimit.
Sipas SPAK, gjatë procedurave të dhënies së koncesionit janë konstatuar shkelje të shumta ligjore, me qëllim favorizimin e kompanisë së biznesmenit Ilir Rrapaj, e cila zotëronte 40% të aksioneve në konsorciumin fitues. Hetimet kanë evidentuar përdorimin e një studimi fizibiliteti me të dhëna të pasakta, hartimin e kritereve të përshtatura për operatorë të paracaktuar, si dhe mosveprim për shmangien e konfliktit të interesit.
Shkelje janë konstatuar edhe gjatë fazës së negocimit të kontratës, e cila, sipas vlerësimit gjyqësor, ka qenë dukshëm në favor të kompanisë fituese dhe në dëm të interesit publik.
Për këto çështje, SPAK ka marrë të pandehur ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-zëvendësministrin Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj, si dhe gjashtë anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit: Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi. Ish-ministri Beqaj po gjykohet në një proces të ndarë, pasi nuk ka pranuar gjykimin e shkurtuar.