Detajet nga arratisja në Durrës! Efektivi që ndoqi Altin Ndocin, i njëjti që i dha telefonin Erion Veliajt në furgonin e burgut

Emisioni investigativ “Në Shënjestër”, i transmetuar në News24, ka zbuluar detaje të reja lidhur me arratisjen e Altin Ndocit, e ndodhur ditën e sotme në ambientet e spitalit rajonal të Durrësit.

Sipas burimeve të emisionit, efektivi i Policisë së Burgjeve që shoqëronte Ndocin në momentin e largimit të tij është identifikuar si Fatjon Baci. Raportohet se gjatë tentativës për ta ndaluar, efektivi ka qëlluar një herë në ajër.

Fatjon Baci është një emër i njohur për organet e drejtësisë edhe për një episod të mëparshëm, të ndodhur gjatë vitit të kaluar, ku ai u përfshi në një çështje tjetër të hetuar, këtë herë që lidhej me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

Bëhet fjalë për rastin kur Baci i kishte dhënë telefonin e tij celular Veliajt gjatë transportimit të këtij të fundit me furgon burgu nga paraburgimi i Durrësit drejt ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në Tiranë. Në dëshminë e dhënë asokohe, efektivi deklaroi se Veliaj kishte qarë, duke shprehur shqetësim për faktin se djali i tij do të rritej pa praninë e tij.

Pas këtij episodi, ndaj Erion Veliajt u shtua edhe akuza për “futje të sendeve të ndaluara në ambientet e vuajtjes së dënimit”.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me përgjegjësitë institucionale për ngjarjen e sotme, ndërsa hetimet për arratisjen e Altin Ndocit vijojnë.