Vëllai dhe nipi i ish-deputetit Arben Ndoka dhunojnë rëndë dy kushërinjtë në Lezhë/ Pamjet nga vendngjarja

Një konflikt fizik është regjistruar mesditën e sotme në ambientet e një lokali në qytetin e Lezhës, ku janë përfshirë persona të afërt të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka, dhe dy kushërinj me mbiemrin Marku.

Sipas Policisë së Lezhës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30. Shtetasit Gjergj Marku, 41 vjeç, dhe Nikolin Marku, 41 vjeç, kushërinj mes tyre, janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasit Gëzim Ndoka, rreth 53 vjeç, vëllai i ish-deputetit, dhe Kevin Ndoka, rreth 20 vjeç, djali i tij.

Si pasojë e përplasjes, dy kushërinjtë Marku kanë mbetur të dëmtuar dhe janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Pas mjekimit, ata janë paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë, ku kanë deklaruar se gjatë konfliktit, babë e bir Ndoka kanë qenë të armatosur.

Policia bën me dije se vijojnë kërkimet për kapjen e Gëzim Ndokës dhe Kevin Ndokës, ndërsa një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, burime për mediat bëjnë të ditur se Nikolin Marku ka pretenduar se ai dhe kushëriri i tij janë dhunuar nga disa persona të maskuar. Sipas tij, dhuna është ushtruar me urdhër të vëllait të ish-deputetit, ndërsa një prej personave të përfshirë i është prezantuar si nipi i Arben Ndokës.

Marku ka deklaruar gjithashtu se është kërcënuar edhe gjatë kohës që ndodhej në spital për trajtim mjekësor, duke akuzuar drejtpërdrejt Gëzim Ndokën për këtë veprim.

Policia dhe Prokuroria nuk kanë konfirmuar ende pretendimet e palëve dhe theksojnë se hetimet janë në vijim, për të sqaruar përgjegjësitë dhe dinamikën e plotë të konfliktit.