Nga zhdukja e Vis Martinaj tek ekzekutimi i Gilmando Danit, çfarë do të dëshmojë Emiliano Shullazi? Flet Artan Hoxha

Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vrasja e Gilmando Danit, i cili u ekzekutua me breshëri armësh në rrethrrotullimin e Rinasit, së bashku me Muçi Shaljanin. Hetimet vijojnë, ndërsa në fokus është përmendur edhe emri i Emiljano Shullazit, i konsideruar si person që mund të ketë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes.

Megjithatë, sipas gazetarit investigativ Artan Hoxha, Shullazi nuk pritet të bashkëpunojë me organet e drejtësisë. Në një prononcim të tij, Hoxha u shpreh se Shullazi, pavarësisht se Gilmando Dani konsiderohej krahu i tij i djathtë, nuk ka traditë bashkëpunimi me shtetin për të goditur kundërshtarët.

“Nuk besoj se në gjendjen që ndodhet do të dëshmojë. Ai e di shumë mirë se sa minimale janë goditjet ndaj kundërshtarëve të tij dhe se çdo informacion që mund të japë do të përfundojë tek ata. Kjo është diçka që ai nuk e pranon”, u shpreh Hoxha.

Sipas gazetarit, Shullazi ka vepruar gjithmonë duke ruajtur një lloj “rregulli”, pa hyrë në intriga apo bashkëpunime me strukturat shtetërore për eliminimin e rivalëve. “Ai nuk e ka përdorur shtetin për të goditur kundërshtarët, ndërsa kundërshtarët e tij e kanë bërë këtë ndaj tij”, theksoi Hoxha.

Ai shtoi gjithashtu se rrethi i lidhjeve të Shullazit është goditur ndjeshëm ndër vite, duke përmendur ekzekutimin e Ervis Martinajt dhe proceset gjyqësore ndaj personave të lidhur me të në Durrës, si dhe përfshirjen e faktorëve ndërkombëtarë në luftën ndaj grupeve kriminale.

“Për këtë arsye, kërkesa që Shullazi të dëshmojë përbën lajm, por nuk kam pritshmëri që ai të bashkëpunojë. Ai e njeh mirë fuqinë e kundërshtarëve të tij dhe beson se për sa kohë ata nuk janë goditur realisht, kanë ndikim mbi strukturat e zbatimit të ligjit”, përfundoi Hoxha.