“Nënës do t’i jepet punë dhe kurs prindërimi”/ Shërbimi Social do t’i sigurojë banesë tre të miturve në Durrës! Kontrolle për kujdestarinë e fëmijeve

Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Teknik Ndërsektorial (GTN), është vendosur që tre fëmijët dhe nëna e tyre, Blerina Basha, të asistohen menjëherë me ndihmë mjekësore dhe sociale.

Sipas vendimit, ndërhyrja do të nisë me sigurimin e të gjitha medikamenteve të nevojshme për trajtimin e sëmundjes infektive të zgjebes. Fëmijët dhe nëna do të vijojnë të qëndrojnë të shtruar në spital deri në përfundimin e plotë të kurimit, ndërsa më pas do të ndiqen nga shërbimet sociale përmes një procesi të vazhdueshëm mbikëqyrjeje në banesë. Parashikohet gjithashtu pastrimi dhe dezinfektimi i apartamentit ku ata jetojnë.

Drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit, Diola Xhango, bëri të ditur për Top Channel se në mbledhjen e GTN-së morën pjesë përfaqësues të Shërbimit Social, Policisë, Shëndetësisë dhe organizatave jofitimprurëse, duke u dakordësuar një plan i koordinuar ndërhyrjeje me qëllim forcimin dhe riintegrimin e familjes.

Sipas saj, tre fëmijëve u janë dërguar veshmbathje në spital, ndërsa pritet të sigurohen të gjitha medikamentet e nevojshme për trajtimin, për shkak të mungesave në repartin e pediatrisë. Trajtimi do të përfshijë si fëmijët, ashtu edhe nënën. Financimi i ndërhyrjeve është marrë përsipër nga organizatat Nisma ARSIS dhe World Vision.

Paralelisht, do të nisë procesi i pasaportizimit dhe zhvendosjes së regjistrimit civil të familjes, e cila aktualisht figuron e regjistruar në Vau i Dejës, ndërsa nëna është me origjinë nga Berati. Regjistrimi si banorë të Durrësit do t’i mundësojë familjes përfshirjen në skemat e strehimit social të bashkisë.

Për Blerina Bashën, përmes Zyrës së Punës, do të shqyrtohet mundësia e sigurimit të një punësimi të rregullt, me orar 8-orësh, për t’i krijuar kushte më të përshtatshme për kujdesin dhe rritjen e fëmijëve. Aktualisht ajo punon deri në 16 orë në ditë. Gjithashtu, asaj do t’i ofrohet mbështetje psiko-sociale.

Shërbimi Social do të kryejë kontrolle dhe mbikëqyrje të përditshme dhe të befasishme për të monitoruar situatën familjare. Nëna do të jetë në një periudhë prove, gjatë së cilës do të vlerësohet aftësia e saj për ushtrimin e kujdestarisë prindërore, me synimin përfundimtar mbajtjen e familjes së bashku dhe garantimin e interesit më të lartë të fëmijëve.