Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin lidhur me çështjen e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke i dhënë të drejtë këtij të fundit dhe duke rrëzuar vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Presidentit të Republikës.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se kompetenca për të kontrolluar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e një organi të zgjedhur drejtpërdrejt i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese. Sipas saj, parashikimet e Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore nuk mund të interpretohen apo zbatohen në mënyrë të tillë që të kufizojnë mbrojtjen kushtetuese të organeve të qeverisjes vendore, pasi ligji nuk mund të ketë epërsi ndaj Kushtetutës. Për rrjedhojë, Gjykata thekson se ankimi ndaj shkarkimit të kryetarit të bashkisë shqyrtohet prej saj në çdo rast, pavarësisht nga shkaku i referuar në vendimin e shkarkimit.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, një kryetar bashkie mund të shkarkohet vetëm në zbatim të nenit 115 të Kushtetutës, për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit. Në këtë kuadër, ajo vlerëson se vendimi i qeverisë, i mbështetur në nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, nuk përmbush standardet kushtetuese, pasi ky nen konsiderohet si zbatim dhe jo zëvendësim i Kushtetutës.
Sa i përket legjitimitetit të Erion Veliajt për t’iu drejtuar drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese, vendimi sqaron se neni 115 i Kushtetutës parashikon qartë të drejtën e organit të zgjedhur vendor për të ankimuar shkarkimin brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë drejtim, Gjykata rrëzon pretendimin e Këshillit të Ministrave se Veliaj duhej t’i drejtohej fillimisht Gjykatës Administrative të Tiranës.
Gjykata vë theksin gjithashtu në respektimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor. Sipas saj, personi ndaj të cilit merret masa e shkarkimit duhet të njihet paraprakisht me materialet që e ngarkojnë me përgjegjësi, të ketë të drejtën për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur, si në fazën paraprake ashtu edhe gjatë shqyrtimit të çështjes. E drejta për t’u dëgjuar, si pjesë e së drejtës së mbrojtjes, garantohet në çdo proces administrativ, pavarësisht instancës apo rëndësisë së tij.
Në vendim thuhet gjithashtu se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, pasi edhe dekreti i Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e tyre është shpallur antikushtetues dhe është anuluar nga Gjykata. Kushtetuesja thekson se edhe shqyrtimi i dekretit presidencial është në juridiksionin e saj, duke rrëzuar pretendimet se çështja duhej të trajtohej nga Gjykata Administrative.
Seanca plenare publike për këtë çështje u zhvillua më 31 tetor 2025, nën kryesimin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve. Kërkesa ishte paraqitur nga Erion Veliaj, i përfaqësuar nga avokatët Alban Dokushi dhe Ermal Yzeiraj, ndërsa si palë të interesuara në proces morën pjesë Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Ministrave.
Me vendimin e datës 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese e la në detyrë kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe anuloi dekretin presidencial për zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, Erion Veliaj ka depozituar një kërkesë për liri në Gjykatën Kushtetuese, por ende nuk është caktuar data e shqyrtimit të saj.