“Divorc te noteri”, Ministri i Drejtësisë: Gati platforma e re për lehtësimin e ngarkesës së gjykatave

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka bërë të ditur se në muajt e ardhshëm pritet të prezantohet një platformë e re që synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes formave alternative, pa qenë e nevojshme ndjekja e procedurave të gjata gjyqësore. Sipas tij, iniciativa bazohet në praktikat më të mira të vendeve europiane dhe synon lehtësimin e ngarkesës së gjykatave, si dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi.

Duke folur për RTSH, Lamallari solli si shembull rastet e divorceve konsensuale, ku nuk ka implikime financiare apo trashëgimtarë. Ai theksoi se në këto raste, zgjidhja e martesës mund të realizohet edhe pranë noterit, pa qenë e nevojshme paraqitja në gjykatë.

“Sot në Shqipëri, një çift që vendos të zgjidhë martesën duhet detyrimisht të kalojë përmes gjykatës, sipas procedurave tradicionale që prej vitesh nuk janë sfiduar. Nuk ka arsye që çështje të tilla të zvarriten, kur në vende të tjera zgjidhja e martesës, kur nuk ka elementë financiarë dhe trashëgimtarë, realizohet edhe përmes noterit, si shprehje e thjeshtë e vullnetit përpara një përfaqësuesi ligjor”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se ky është vetëm një ilustrim, pasi sipas tij ka edhe shumë hapësira të tjera ligjore që duhen rishikuar, me qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe shmangien e kostove financiare, kohës së gjatë dhe frustrimit që shpesh shoqëron proceset gjyqësore.

Në vijim, Lamallari foli edhe për përdorimin e formave të tjera alternative të zgjidhjes së konflikteve, si ndërmjetësimi, arbitrazhi dhe pajtimi. Ai theksoi se këto mekanizma duhet të promovohen më shumë dhe të sugjerohen edhe nga vetë gjykatat, gjë që sipas tij, deri më tani ka munguar pothuajse tërësisht në praktikë.

Ministri përmendi gjithashtu rolin e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në sistemin e drejtësisë, si një mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për shmangien e paraqitjes fizike të qytetarëve në gjykata apo prokurori për depozitimin e dokumenteve. Megjithatë, ai nënvizoi se krahas modernizimit, institucionet e reja të drejtësisë duhet të jenë në një nivel më të lartë të llogaridhënies ndaj qytetarëve.