Arrestohet sërish drejtoresha e Ministrisë së Brendshme/ Pasi i dogji krevatin, tenton t’i djegë makinën ish-bashkëjetuesit

Policia e Tiranës ka arrestuar 43-vjeçaren Alma Bime, drejtoreshë e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, e dyshuar për thyerje të masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe tentativë për djegien e automjetit të ish-bashkëjetuesit të saj.

Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 kanë ndaluar shtetasen A.B., pasi dyshohet se ka shkelur masën e sigurisë të vendosur më herët nga gjykata, si edhe ka tentuar t’i vërë flakën makinës së ish-partnerit.

Alma Bime ishte shoqëruar edhe në muajin dhjetor, nën dyshimet për kanosje ndaj një shtetasi të huaj përmes mesazheve dhe për djegien e orendive shtëpiake në banesën e ish-bashkëjetuesit të saj, Mareglen Tomori. Ky i fundit raportohet se jeton në një vilë trekatëshe në zonën e Kinostudios, ku kishte punësuar një shtetas të huaj me leje qëndrimi, i cili kujdesej për ambientet përreth banesës.

Sipas burimeve mediatike, konfliktet mes Bimes dhe ish-bashkëjetuesit kanë qenë të përsëritura, ndërsa më herët ajo dyshohet se i ka djegur krevatin në banesë. Gjithashtu, raportohet se është konfliktuar edhe me shtetasin e huaj, duke e akuzuar për bashkëpunim me ish-partnerin dhe duke e kërcënuar se do t’i hiqte lejen e qëndrimit.

Denoncimi për ngjarjet është bërë nga Mareglen Tomori, i cili ka paraqitur edhe prova, përfshirë dëshmi dhe mesazhe kërcënuese, që sipas tij implikojnë 43-vjeçaren.

Policia bën me dije se materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.