Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka paralajmëruar zhvillimin e një takimi me demokratët në qytetin e Korçës. Megjithatë, iniciativa e tij ka hasur në kundërshtimin e degës lokale të Partisë Demokratike.
Në një mesazh të shpërndarë drejtuar anëtarëve të saj, PD Korçë u bën thirrje demokratëve që të mos marrin pjesë në takimin e paralajmëruar nga Salianji. Sipas degës lokale, ky aktivitet nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe konsiderohet si një nismë personale.
Në reagimin e saj, PD Korçë thekson se Ervin Salianji është vetëpërjashtuar nga partia për shkak të shkeljes së statutit, duke shtuar se takimi i tij bie ndesh me interesat dhe linjën politike të PD-së. Sipas mesazhit, aktiviteti në fjalë i shërben, sipas tyre, axhendës politike të mazhorancës.
“Dega e PD Korçë u bën thirrje anëtarëve të saj të distancohen nga ky takim, pasi nuk ka lidhje me Partinë Demokratike dhe nuk përfaqëson interesat e saj”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e shpërndarë.
Takimi i paralajmëruar nga Salianji vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme brenda opozitës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të zhvillohet dhe si do të jetë pjesëmarrja e demokratëve në Korçë.