“Mbulon vajzat me para dhe tallet me Ministrinë e Brendshme”, “The Telegraph” për kriminelin shqiptar: Jetë luksoze teksa kërkon azil

Mediat britanike vijojnë të ndjekin rastin e shqiptarit Dorian Puka, i cili është kthyer sërish në fokusin e gazetës prestigjioze “The Telegraph”, për shkak të stilit të jetesës luksoze që ai shfaq publikisht në rrjetet sociale, ndërkohë që ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar duke pritur shqyrtimin e kërkesës për azil.

Sipas “The Telegraph”, Puka, 31 vjeç, i dënuar dhe i deportuar dy herë më parë për grabitje banesash, po “sfidon hapur” autoritetet britanike duke publikuar video nga klubet më ekskluzive të Londrës, ku shfaqet duke hedhur kartëmonedha mbi vajza dhe duke konsumuar shampanjë të shtrenjtë në ambiente VIP.

Gazeta shkruan se Ministria e Brendshme britanike ka pranuar se nuk mund ta deportojë aktualisht Pukën, derisa kërkesa e tij për azil të shqyrtohet përfundimisht, pavarësisht precedentëve penalë dhe hyrjeve të përsëritura të paligjshme në vend.

Në shkrimin e fundit thuhet se Puka është filmuar së fundmi në klubin e natës “London Reign” në Mayfair, ndërsa vetëm një javë më parë ishte parë në “Cirque le Soir”, një tjetër lokal luksoz i frekuentuar nga personazhe të njohur. Pamjet tregojnë shishe shampanje të shtrenjta, fishekzjarrë në ambiente të mbyllura dhe qindra paund që hidhen në ajër.

“The Telegraph” rikujton se Puka ka ekspozuar vazhdimisht pasurinë e tij në TikTok dhe Instagram, duke shfaqur makina luksoze si Lamborghini, Ferrari, Bentley, Porsche dhe Mercedes G-Wagon, si edhe disa ora Rolex me vlera dhjetëra mijëra paund. Burimet e të ardhurave të tij mbeten të paqarta.

Gazeta thekson gjithashtu se Puka është burgosur për herë të parë në vitin 2016 dhe deportuar në 2017, por u rikthye ilegalisht në Britani për të kryer sërish vjedhje, çka çoi në një dënim tjetër prej tre vitesh e gjysmë dhe deportim në vitin 2020. Ai dyshohet se ka hyrë përsëri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në dhjetor të po atij viti.

Një burim nga shërbimet e emigracionit, i cituar nga “The Telegraph”, e ka cilësuar situatën si “të turpshme”, duke theksuar se është e papranueshme që një person me precedentë penalë të jetojë në luks ndërsa miliona qytetarë britanikë punojnë për të siguruar një jetesë minimale.

Në reagimin zyrtar, Ministria e Brendshme britanike deklaroi se po ndërmerren reforma ligjore për të shmangur abuzimet me sistemin e azilit dhe për të rritur deportimet e kriminelëve të huaj.

Ndërkohë, vetë Dorian Puka vijon të publikojë video në rrjetet sociale, duke mos shfaqur asnjë shenjë shqetësimi ndaj vëmendjes së mediave apo autoriteteve.