Pas situatës së rënduar nga përmbytjet, Bashkia e Durrësit ka ngritur alarmin edhe për përkeqësim të kushteve atmosferike gjatë orëve në vijim, duke paralajmëruar erëra të forta që mund të sjellin rrezik për qytetarët.
Sipas njoftimit zyrtar, bazuar në parashikimet meteorologjike, duke filluar nga ora 16:00 e ditës së sotme, era nga drejtimi jugor pritet të intensifikohet ndjeshëm, duke arritur shpejtësi deri në 25 metra për sekondë. Kjo situatë parashikohet të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Bashkia u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare, në funksion të sigurisë personale dhe të familjarëve.
Ndërkohë, strukturat bashkiake dhe ato të emergjencave civile bëjnë me dije se do të jenë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo problematikë që mund të paraqitet si pasojë e kushteve të pafavorshme të motit.