Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e sotme tregun e rrobave të përdorura te zona e njohur si “5 Maji” në Tiranë. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke krijuar një situatë të vështirë për shërbimet e emergjencës.
Në ndërhyrje janë angazhuar fillimisht rreth 30 ekipe zjarrfikëse dhe 6 automjete, por për shkak të intensitetit të zjarrit është kërkuar ndihmë shtesë. Forca zjarrfikëse nga Kamza, Vora dhe Elbasani janë nisur për të mbështetur operacionin, ndërsa është kërkuar edhe ndihma e Ushtrisë.
Policia ka zgjeruar perimetrin e sigurisë për të shmangur rrezikun për qytetarët, pasi dyshohet se në ambientet e magazinave mund të ketë bombola gazi, çka rrit ndjeshëm rrezikun e shpërthimeve. Sipas informacioneve paraprake, në zonë ndodhen mbi 50 magazina dhe raportohet se zjarri është përhapur edhe në një tjetër vatër.
Ekipet zjarrfikëse vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa ende nuk ka informacion për persona të lënduar apo për shkakun e rënies së zjarrit. Autoritetet pritet të japin detaje të tjera në vijim, ndërsa situata mbetet kritike.