Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me situatën e përmbytjeve në qytet, të cilat shkaktuan dëme të shumta materiale dhe humbjen e jetës së një punonjësi të Ndërmarrjes Komunale. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, reshjet e vazhdueshme gjatë dy ditëve të fundit kanë krijuar problematika serioze për qytetarët, duke ndikuar në jetën e përditshme, funksionimin e institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, si dhe duke shkaktuar bllokim të rrugëve urbane dhe interurbane. Janë raportuar përmbytje të banesave, dëme në tokat bujqësore dhe rrezik real për jetën e qytetarëve, përfshirë edhe përmbytjen e institucionit penitenciar në Durrës.
Prokuroria vlerëson se përmasat e situatës dhe pasojat e saj përbëjnë indicie të mjaftueshme për ekzistencën e një fakti penal, ndaj është vendosur nisja e hetimeve për të përcaktuar nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo lidhen me pakujdesi apo mospërmbushje të detyrës nga organet përgjegjëse shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore.
Në fokus të hetimit është edhe humbja e jetës së shtetasit A.H., punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Sipas të dhënave paraprake, ai kishte shkuar në terren për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet dhe dyshohet se është marrë nga rrjedha e fortë e ujit, duke humbur jetën. Prokuroria thekson se rrethanat e ngjarjes po verifikohen, ndërsa ekzistojnë dyshime të arsyeshme për përgjegjësi penale në kuadër të veprës “Shpërdorimi i detyrës”, nga persona të ngarkuar me mirëmbajtjen dhe menaxhimin e situatës emergjente.
Po ashtu, për shkak të dëmeve të konsiderueshme në infrastrukturën publike dhe pronën private, hetimet po zhvillohen edhe për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimit të pronës nga pakujdesia”, të parashikuara në nenet 153 dhe 161 të Kodit Penal.
Prokuroria bën me dije se do të kryhen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë administrimin e dokumentacionit përkatës dhe marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni për ngjarjen, me qëllim zbardhjen e plotë të shkaqeve, përcaktimin e përgjegjësive dhe vlerësimin nëse ekziston apo jo përgjegjësi penale.