Situata në Durrës pas përmbytjeve të fundit paraqitet kritike. Sipas të dhënave zyrtare, janë përmbytur 953 banesa dhe 337 biznese, ndërsa 160 banorë janë evakuuar dhe po qëndrojnë prej dy ditësh në ambiente konvaleshence.
Zonat më të goditura janë ish-Këneta, Shkozeti (lagjja 14), zona e Plazhit, si dhe njësitë administrative Manëz dhe Rrashbull. Banorët raportojnë dëme të mëdha materiale, me orendi shtëpiake të shkatërruara dhe banesa të mbuluara nga uji. Në shumë raste, familjet janë detyruar të largojnë fëmijët gjatë natës, ndërsa vetë kanë mbetur të izoluar në katet e sipërme, pa energji elektrike dhe pa ndihmë institucionale.
Situata më e rëndë paraqitet pranë bllokut të banesave afër burgut të Durrësit, ku rrugët janë shndërruar në kanale uji. Në këtë zonë, lëvizja e punonjësve të burgut dhe e banorëve po bëhet me gomone.
Sipas banorëve dhe burimeve lokale, përveç reshjeve intensive, përmbytjet janë shkaktuar edhe nga mosfunksionimi i rrjetit kullues, përfshirë kanalet dhe tubacionet e ujërave të bardha, të cilat nuk janë pastruar dhe mirëmbajtur gjatë muajve të verës. Si pasojë, kanali që përshkon zonën nga Plazhi drejt Shkozetit ka dalë nga shtrati. Pretendohet gjithashtu se hidrovori i ri nuk po funksionon siç duhet, duke bërë që uji të kthehet mbrapsht dhe të përmbytë lagjet e ish-Kënetës.
Për këtë arsye, banorët kanë dalë sot në protestë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe zgjidhje afatgjata, ndërsa theksojnë se kjo është hera e tretë që përmbyten brenda 12 muajve.
Opozita ka ngritur akuza për keqmenaxhim institucional dhe ka kërkuar hetim nga Prokuroria, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e investimit prej rreth 20 milionë eurosh për hidrovorin e ri, i cili sipas saj nuk ka parandaluar përmbytjet në qytet.
Nga ana tjetër, Prefektura e Qarkut Durrës njofton se në terren janë angazhuar 15 grupe pune për evidentimin e dëmeve, ndërsa rreth 100 forca të emergjencave civile, zjarrfikëse dhe efektivë të policisë po punojnë për evadimin e ujërave.
Përmbytjet kanë prekur edhe zonat rurale, ku mbi 1 mijë hektarë tokë bujqësore raportohet se janë nën ujë në njësitë administrative Manëz, Sukth dhe Katund i Ri.