Në prag të Kupës së Botës, FSHF merr vendimin e rëndësishëm për Sylvinho-n

Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior (Sylvinho), si edhe me dy zëvendëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior.

Sipas njoftimit të FSHF-së, kontrata e re me stafin teknik do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, me objektivin kryesor kualifikimin për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar në fazën finale të Kupës së Botës.

“Nëpërmjet këtij vendimi, Federata konfirmon vazhdimësinë e projektit teknik dhe besimin e plotë në stafin aktual,” thuhet në komunikimin zyrtar, duke theksuar se rinovimi synon stabilitet, vazhdimësi dhe ambicie të larta për Kombëtaren.

Nën drejtimin e Sylvinho-s, Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në organizim, identitet loje dhe rezultate, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën play-off të Botërorit 2026.

Në muajin mars, kuqezinjtë do të luajnë një tjetër kapitull të rëndësishëm, duke u përballur me Poloninë në gjysmëfinalen e play-off-it më 26 mars. Në rast kualifikimi, Shqipëria do të luajë finalen vendimtare ndaj fituesit të çiftit Ukrainë–Suedi.

FSHF nënvizon se do të vijojë të mbështesë maksimalisht Kombëtaren dhe stafin teknik në këtë rrugëtim, me synimin për ta kthyer kualifikimin në Botëror në një realitet historik për futbollin shqiptar.