Lapaj: “Rama trokiti te ne, më ofroi postin e zv/kryeministrit dhe dy ministri. Nuk pranova, s’do shihja dot babain në sy”

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme në emisionin “Oponencë”, ku zbuloi se pas zgjedhjeve të majit 2025 i është ofruar nga qeveria Rama posti i zv/kryeministrit, si edhe drejtimi i dy ministrive.

Lapaj u shpreh se oferta i është bërë në fund të qershorit dhe në javën e dytë të korrikut, në kuadër të asaj që sipas tij iu paraqit si një “qeveri me bazë të gjerë” në funksion të integrimit europian dhe bashkëpunimit me të rinjtë. Megjithatë, ai theksoi se e ka refuzuar kategorikisht propozimin, duke e konsideruar tradhti ndaj votuesve dhe idealeve që përfaqëson.

“Nuk pranova. Po të shkoja aty, do kisha tradhtuar luftën time dhe idealet që përfaqësoj. Nuk do kisha fytyrë ta shihja babain në sy,” deklaroi Lapaj.

Ai shtoi se një përfshirje në qeveri do ta nxirrte jashtë çdo parimi politik që ka ndërtuar deri më sot, duke e cilësuar ofertën si pjesë e një skeme për të neutralizuar figurat kritike.

Gjatë intervistës, Lapaj u ndal edhe te institucioni i Avokatit të Popullit, për të cilin u shpreh se nuk e njeh më si institucion funksional.

“Nuk e njoh si institucion. Ligji kërkon integritet të lartë moral, por ky integritet humbet kur ti pret në besë mijëra qytetarë që të kanë votuar,” tha ai, duke shtuar se sipas tij, kryeministri Edi Rama ka përdorur institucionet për të dhënë mesazhin se karriera politike kalon vetëm përmes tij.

Lapaj ironizoi gjithashtu raportet mes aktorëve politikë, duke kujtuar deklaratat e mëparshme se “Saliu dhe Edi janë këmbët e së njëjtës merimangë”, ndërsa theksoi se kandidime dhe emërime janë bërë sipas tij me vota nga njëra palë dhe firmë nga pala tjetër.