Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një operacion të gjerë detar kundër të ashtuquajturës “flotë në hije” të lidhur me eksportet e naftës së Venezuelës, duke sekuestruar dy anije cisterna në Oqeanin Atlantik dhe në Detin e Karaibeve. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet amerikane për rrjetin NBC News.
Sipas burimeve zyrtare, cisterna e naftës “Marinera”, e njohur më parë si “Bella 1”, është kapur në Atlantik dhe tashmë ndodhet nën kontrollin e plotë të Shteteve të Bashkuara. Anija dyshohet se ka tentuar t’u shmanget sanksioneve amerikane, duke ndryshuar emrin dhe flamurin. Fillimisht ajo kishte lundruar nën flamurin e Guajanës, ndërsa më pas ishte regjistruar nën flamurin rus. Të dhënat e gjurmimit tregojnë gjithashtu ndryshime të papritura të drejtimit gjatë lundrimit.
Operacioni është drejtuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, me mbështetjen e ushtrisë amerikane. Në bord ndodhen zyrtarë të zbatimit të ligjit, ndërsa veprimet po koordinohen nga Homeland Security.
Para konfirmimit zyrtar të sekuestrimit, Ministria e Jashtme e Rusisë deklaroi se cisterna ndodhej në ujëra ndërkombëtare dhe po vepronte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare detare, duke kërkuar respektimin e lirisë së lundrimit. Megjithatë, Komanda Evropiane e SHBA-së bëri të ditur se ndalimi u krye për shkelje të sanksioneve amerikane.
Në një operacion paralel, Komanda Jugore e SHBA-së njoftoi se është sekuestruar edhe cisterna M/T Sophia në Detin e Karaibeve. Anija ishte pa shtetësi, e sanksionuar nga autoritetet amerikane dhe dyshohet se ishte e përfshirë në aktivitete të paligjshme. Roja Bregdetare e SHBA-së po e shoqëron aktualisht drejt territorit amerikan për procedura të mëtejshme.
Autoritetet amerikane theksojnë se operacioni është zhvilluar pa incidente dhe në bashkëpunim mes Departamentit të Mbrojtjes dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Sipas tyre, veprimet janë pjesë e Operacionit “Shtiza Jugore”, që synon frenimin e aktiviteteve të paligjshme detare dhe zbatimin e sanksioneve në Hemisferën Perëndimore.