Përmbytjet në autostradën Tiranë-Durrës/ Policia devijon trafikun. Rruga drejt Rinasit e lirë

Screenshot

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa segmente të autostradës Tiranë–Durrës, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Deri në zonën e Shënavlashit, lëvizja paraqitet përgjithësisht e lirë, megjithëse me prani të shtuar mjetesh, ndërsa edhe në drejtim të Rinasit qarkullimi vijon pa problematika të mëdha.

Situata paraqitet më e rënduar në aksin drejt qytetit të Durrësit, ku lëvizja e automjeteve është pothuajse e pamundur dhe trafiku ka arritur në disa kilometra. Si pasojë e reshjeve, uji ka përmbytur rrugë, banesa dhe sipërfaqe të gjera tokash bujqësore.

Në zonë ka disa automjete të bllokuara dhe pjesërisht nën ujë, ndërsa në disa zona ndërhyrja e mjeteve të emergjencës ka qenë e nevojshme.

Më herët, Policia njoftoi se ka vendosur devijimin e qarkullimit për automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës. Për shkak të motit të keq, mjetet po orientohen nga Rruga e Plepave drejt Ndroqit, si dhe nga aksi “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”.

Ndërkohë, për hyrjen në Durrës, kalimi po realizohet nga rruga e universitetit drejt Spitallës, si edhe përmes aksit “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e policisë rrugore.