Arrestohet gjinekologu i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”: Zbardhen detajet e dhunës ndaj kryeinfermieres

Policia e Tiranës ka arrestuar një mjek 53-vjeçar, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj kryeinfermieres, e punësuar në të njëjtin institucion shëndetësor, maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.

Sipas informacioneve zyrtare, konflikti ka nisur pasi kryeinfermierja i ka kërkuar mjekut, Julian Habibaj, të plotësonte kartelën e një pacienti, por ai ka refuzuar dhe e ka ofenduar. Pas kundërshtimit nga ana e mjekut, situata ka agravuar në ofendime verbale dhe më pas në përplasje fizike, ku dyshohet se 53-vjeçari e ka goditur dhe e ka kapur kryeinfermieren nga fyti.

Si pasojë e incidentit, kryeinfermierja ka pësuar shenja dhune dhe është pajisur me dokumentacion mjekësor. Burime bëjnë me dije se mjeku kishte pasur më herët rreth 11 masa disiplinore për probleme me stafin, por rasti nuk ishte denoncuar më parë pranë organeve të rendit.

Policia po vijon veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjes.