Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për katër personat e dyshuar në lidhje me vrasjen e 67-vjeçarit Hysni Ymeri, i cili humbi jetën pas shpërthimit të një sasie eksplozivi në një pallat në qytet.
Sipas burimeve për Report TV, Gert Bushati ka pranuar para hetuesve se ishte ai që vendosi tritolin më 27 dhjetor në panelin e matësve elektrikë, i cili shpërtheu dy ditë më pas, duke shkaktuar vdekjen e Ymerit. Në deklaratën e tij, Bushati ka pohuar se është kontaktuar nga Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi për të kryer veprimin.
“Nuk kam pasur dijeni për vrasje, më është thënë se eksplozivi do të përdorej vetëm për të trembur dikë. Kur mësova se kishte humbur jetën një person, u trondita”, ka deklaruar Bushati në polici.
Tre të dyshuarit e tjerë, Hasaj, Zefi dhe Ibrahimi, kanë mohuar përfshirjen në ngjarje dhe nuk kanë pranuar akuzat, ndërsa ndaj tyre po ashtu është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Burime hetimore bëjnë me dije se policia ka sekuestruar telefona, ka përgjime dhe prova të tjera që pritet të analizohen për të përcaktuar rolin e secilit.
Sipas hetimeve paraprake, sasia e eksplozivit dyshohet se ishte vendosur edhe më herët, por nuk kishte shpërthyer. Vendosja e dytë më 27 dhjetor rezultoi fatale. Bushati ka deklaruar gjithashtu se ka përfituar një shumë parash për vendosjen e tritolit, ndërsa ka theksuar se nuk e di motivin e ngjarjes.
Seancat për tre të dyshuarit e tjerë janë zhvilluar fillimisht së bashku, ndërsa për Gert Bushatin, i cili ka pranuar autorësinë e vendosjes së eksplozivit, masa e sigurisë është shqyrtuar veçmas.
Ndaj katër të arrestuarve rëndojnë akuzat për “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “shkatërrim të pronës me eksploziv”, “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese”, si dhe akuza të tjera shtesë të lidhura me veprimtari kriminale.
Prokuroria dhe policia po hetojnë disa pista për zbardhjen e motivit të vrasjes, përfshirë edhe ngjarje të mëparshme të lidhura me rrethin familjar të viktimës, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën dhe shkaqet e krimit.