Rriten infektimet nga gripi në janar, Brataj: “AH3N2 është shumë agresiv, shmangni dyndjet drejt spitaleve”

Pas festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, muaji janar ka nisur me rritje të ndjeshme të rasteve të gripit dhe virozave të stinës. Ditët e para të vitit 2026 kanë sjellë shtim të infektimeve në popullatë, një situatë që mjekët e konsiderojnë të pritshme për këtë periudhë.

Sipas specialistëve, përhapja lidhet me grumbullimet gjatë festave, udhëtimet brenda dhe jashtë vendit, si edhe me uljen e temperaturave. Të dhënat nga Urgjenca Kombëtare tregojnë se grupmoshat më të prekura janë fëmijët nga 4 deri në 14 vjeç, kryesisht nga nënvarianti AH3N2.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, thekson se gripi i këtij sezoni është veçanërisht agresiv. “AH3N2 karakterizohet nga temperaturë e lartë dhe rezistencë e fortë, duke e bërë më të vështirë kalimin e simptomave,” shprehet ai.

Brataj u bën thirrje prindërve të mos alarmohen dhe të shmangin dyndjet drejt spitaleve, nëse nuk shfaqen shenja serioze. “Në mungesë të simptomave shqetësuese, nuk ka arsye për të vrapuar menjëherë në urgjencë,” thekson ai.

Ashtu si çdo sezon gripi, kulmi i infektimeve pritet të shënohet në fund të janarit dhe fillim të shkurtit. Krahas nënvarianteve AH3N2 dhe AH1N1, në qarkullim janë edhe virusi sincicial respirator, që prek kryesisht fëmijët e vegjël, si dhe raste të Covid-19 dhe virozave të tjera sezonale.