Klodian Braho firmos ndryshimet në SPAK, ja roli që do të marrë Altin Dumani

Kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, ka firmosur këtë të hënë strukturën e re drejtuese të institucionit.

Sipas vendimit, ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, do të mbajë detyrën e shefit të seksionit për marrëdhëniet me jashtë. Ndërkohë, Dorina Bejko është emëruar në krye të seksionit për hetimin e korrupsionit, ndërsa Vladimir Mara do të drejtojë seksionin kundër krimit të organizuar.

Departamenti për marrëdhëniet me jashtë është drejtuar më herët nga Dorina Bejko, e cila kishte zëvendësuar Arben Krajën. Kraja e mbajti këtë funksion për rreth tre vite, pasi përfundoi mandatin si kryeprokuror i SPAK, dhe ishte emëruar nga pasuesi i tij, Altin Dumani.

Arben Kraja u largua nga kjo detyrë dhe u rikthye si prokuror në SPAK pas përplasjeve të krijuara lidhur me çështjen e drejtimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ndryshimet e reja synojnë riorganizimin e strukturës drejtuese të SPAK dhe ndarjen e qartë të përgjegjësive mes seksioneve kryesore të institucionit.