Flauers Shoshi është emëruar drejtor i ri i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë (UKT). Ai zëvendëson në këtë detyrë Skerdi Drenovën, i cili u shkarkua nga posti në ditët e fundit të vitit 2025, pas problematikave të vazhdueshme me furnizimin me ujë në kryeqytet.
Deri në këtë emërim, Shoshi ka mbajtur postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, duke pasur në fokus menaxhimin e sektorit të ujësjellësit në nivel kombëtar. Emërimi i tij vjen në një periudhë ndryshimesh në drejtimin e institucioneve publike në Tiranë.
Vetëm pak ditë më parë, Shoshi u përball nga afër me protestuesit gjatë krizës së furnizimit me ujë në Vlorë. “As unë s’jam larë si ju se kam qenë në terren”, u shpreh ai para qytetarëve të irrituar, teksa përpiqej të shpjegonte situatën.
Me marrjen e drejtimit të UKT-së, pritet që Shoshi të përballet me sfidën e përmirësimit të furnizimit me ujë dhe rikthimit të besimit të qytetarëve në shërbimin e ujësjellësit në kryeqytet.