Alarm për reshje intensive sot dhe nesër: IGJEUM paralajmëron rrezik përmbytjesh në Veri dhe Jug

Reshje me intensitet të lartë priten sot dhe nesër në disa zona të vendit, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe vërshime të shpejta. Paralajmërimi vjen nga Instituti i Gjeoshkencave, i cili njofton se situata më problematike parashikohet në qarqet e Veriut dhe Jugut.

Sipas njoftimit zyrtar, reshjet intensive do të përfshijnë kryesisht qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ku ekziston rreziku për vërshime të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash. Në zonat urbane të këtyre qarqeve, priten edhe probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së rrjetit të kanalizimeve.

Instituti thekson se, për shkak të reshjeve të forta të ditëve të fundit, të cilat do të vijojnë deri të enjten, më 8 janar, prurjet dhe nivelet e ujit do të rriten ndjeshëm në disa prej lumenjve kryesorë të vendit. Rrezik i shtuar parashikohet për sistemin Drin–Buna, Liqenin e Shkodrës, si edhe për lumenjtë Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Veçanërisht Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës paraqesin rrezik të lartë për përmbytje gjatë ditës së sotme dhe nesër, për shkak të prurjeve dhe niveleve të larta të ujit.

Autoritetet u bëjnë thirrje strukturave vendore dhe qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare në vijim.