Një ngjarje e rëndë të ndodhur në Orikum, ku një 40-vjeçare humbi jetën pasi dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, i cili më pas i dha fund jetës.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se çifti i bashkëshortëve nuk jetonin më së bashku prej rreth dy muajsh dhe ndodheshin në prag të ndarjes, për shkak të konflikteve të vazhdueshme. Viktima, Sose Xhebro, ishte kthyer së fundmi nga Italia, ku jetonte, për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri.
Sipas informacioneve paraprake, pas një konflikti të dhunshëm, burri dyshohet se e ka dhunuar bashkëshorten dhe më pas e ka transportuar atë drejt urgjencës së spitalit, ku ajo ka mbërritur pa shenja jete. Hetimet paraprake ngrenë dyshime se, përveç dhunës fizike, viktima mund të jetë mbytur me duar.
Mësohet se pasi e ka lënë gruan në spital, autori është kthyer në banesë, ku dyshohet se më pas i ka dhënë fund jetës së tij. Çifti kishte dy fëmijë, ndërsa familjarët kanë deklaruar për policinë se marrëdhënia mes bashkëshortëve kishte qenë e tensionuar prej kohësh.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes, ndërsa autoritetet po mbledhin dëshmi nga familjarë dhe persona të afërt me çiftin për të kuptuar rrethanat që çuan në këtë tragjedi familjare.