Aktori i mirënjohur Mehdi Malkaj ka treguar se viti 2025 ka qenë më i bukuri i jetës së tij dhe i familjes, për një arsye thellësisht personale. Në një intervistë për Euronews, ai rrëfeu me emocione se pas vitesh të vështira, i biri ka arritur të shërohet dhe nuk është më përdorues i lëndëve narkotike.
I përlotur, Malkaj foli për periudhën e gjatë të vuajtjeve që familja ka kaluar, duke e cilësuar atë si një “rrëmujë shpirtërore” që kishte prekur të gjithë. “Unë mendoj se ky është viti më i bukur i jetës dhe familjes time, për një arsye shumë të fortë. Kam dy fëmijë, djalë dhe vajzë. Djali ka qenë përdorues droge për shumë vite, tani nuk është më,” u shpreh aktori.
Ai theksoi se beteja ka qenë e gjatë dhe e dhimbshme për të gjithë familjen, duke dhënë edhe një mesazh të fortë për shoqërinë: “Nëse e urren dikë shumë, mos e mallko kurrë me fjalët ‘të pafsha fëmijët të përdorin drogë’. Kam vite të tëra që kam luftuar bashkë me familjen. Kur ndodh diçka e tillë, shtëpia nuk është më shtëpi, është një rrëmujë shpirtërore.”
Sipas Malkajt, rikuperimi i djalit të tij nuk është vetëm një fitore personale dhe familjare, por edhe një mesazh shprese për prindërit që përballen me sfida të ngjashme, se lufta ia vlen dhe se dalja nga varësia është e mundur.