Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar ditën e sotme në aksin Gjirokastër–Tepelenë, ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve kanë humbur jetën tre të rinj, ndërsa një vajzë 19-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Viktimat e aksidentit janë identifikuar si Klejdi Myftari, 24 vjeç, Martin Dulaj, 25 vjeç, dhe Anxhelo Ruçi, 27 vjeç. Ky i fundit raportohet se është nipi i ish-kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Anxhelo Ruçi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra pas aksidentit.
Sipas informacioneve paraprake, në automjetin tip Volkswagen udhëtonin Klejdi Myftari dhe Anxhelo Ruçi, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, automjeti tjetër, tip Mercedes Benz, drejtohej nga Martin Dulaj, i cili ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa pasagjerja Arsida Demiri, 19 vjeçe, u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje.