Nga 1 janari 2026 hyn në fuqi paketa fiskale e re, e cila sjell lehtësira të ndjeshme për qytetarët që synojnë të shesin ose blejnë prona. Ndryshimi kryesor lidhet me rivlerësimin e pasurive, ku taksa për shitblerjen e banesave zbret nga 15% në 5%.
Sipas specialistëve të tregut, dy muajt e fundit të vitit 2025 janë shoqëruar me një ngadalësim të ndjeshëm të aktivitetit në zyrat noteriale, pavarësisht rritjes së fluksit të emigrantëve gjatë kësaj periudhe. Shumë transaksione janë shtyrë pikërisht në pritje të hyrjes në fuqi të ndryshimeve fiskale.
Arsyeja, sipas tyre, është e qartë: nga fillimi i vitit 2026, pronarët do të kenë mundësi të kryejnë rivlerësimin e banesave dhe të përfitojnë nga ulja e ndjeshme e taksës, nga 15% në 5%. Kjo pritet të nxisë një rritje të procedurave të shitjes në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Nga ky proces përfiton edhe qeveria, e cila ndër vite ka rritur gradualisht pragun e rivlerësimit. Nëse në periudha të mëparshme ai ka qenë 2 apo 3%, këtë vit është vendosur në nivelin 5%. Megjithatë, specialistët e konsiderojnë këtë masë si një lehtësi të rëndësishme për qytetarët dhe për tregun e pasurive të paluajtshme, duke krijuar kushte më të favorshme për formalizimin e transaksioneve.