Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ndaj së cilës SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Në konferencën e fundit për mediat, Rama theksoi se bëhet fjalë për një proces hetimor në zhvillim dhe se nuk mund të nxirren përfundime mbi baza të pjesshme.
“Kjo është pjesë e hetimeve. Nuk kam dijeni për këtë dhe nuk mund të bëj asnjë koment për gjysmë të vërtetat që dalin lart e poshtë. Është proces dhe do bëhen hetime,” u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se Karçanaj ka qenë një nga figurat kyçe në ndërtimin e AKSHI-t dhe se ajo gëzon respektin e tij të plotë. “Në krye të skuadrës së AKSHI-t është një grua që ka respektin e padiskutueshëm timin. Linda Karçanaj ka strukturuar këtë institucion,” deklaroi ai, duke shtuar se e njeh prej më shumë se dy dekadash. “E njoh prej 20 vitesh dhe ka respektimin tim maksimal. Është e njohur edhe ndërkombëtarisht.”
Duke iu referuar akuzave dhe insinuatave që po qarkullojnë në opinionin publik, Rama theksoi se drejtoresha jeton në kushte modeste. “Ka një masë sigurie, por jeton në një shtëpi me qira. Më parë jetonte në shtëpinë e prindërve, në një banesë të postkomunizmit,” tha ai.
Kryeministri kritikoi ashpër rrjedhjen e informacionit nga dosja hetimore, duke e cilësuar atë si shkelje të sekretit hetimor. “Çfarë thoni ju sot, bazuar në copëza të nxjerra rrugëve nga ata që duhet të ruajnë sekretin hetimor, nuk është e mjaftueshme për të dalë në përfundime për të fajësuar njerëzit,” u shpreh Rama.
Ai paralajmëroi edhe për pasojat e gjykimit publik para vendimit të drejtësisë. “Nxirret një copë këtu dhe një copë atje, ushqehet publiku për të dënuar në sytë e opinionit njerëz që kanë të drejtën që të prezumohen të pafajshëm,” tha kryeministri, duke shtuar se sulmet ndaj tij nuk e dobësojnë. “Sa më shumë të më sulmoni, vetëm më forconi. Po të doni të më dëmtoni, mos më fusni në tenxhere, se më i fortë do jem.”