Kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova, është shkarkuar nga detyra pas problemeve të përsëritura në furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet.
Vendimi vjen pas ankesave të shumta të qytetarëve, të cilët prej muajsh raportojnë mungesa serioze të ujit në banesat e tyre. Ende nuk është bërë e ditur se kush do ta zëvendësojë Drenovën, ndërkohë që pritet që në ditët në vijim të prezantohet një plan konkret për përmirësimin e furnizimit.
Sipas banorëve të disa zonave të Tiranës, furnizimi është reduktuar në vetëm një orë në ditë, një sasi e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat bazike të përditshme, si higjiena personale, gatimi apo pastrimi. Situata ka shkaktuar shqetësim dhe pakënaqësi të madhe, veçanërisht tek familjet me fëmijë, të moshuar dhe persona me nevoja të veçanta.