Policia e Tiranës ka ndaluar disa ditë më parë drejtoreshën e Ministrisë së Brendshme, Alma Bime, e dyshuar për kanosje përmes mesazheve dhe për djegien e orendive shtëpiake në banesën e ish-bashkëjetuesit të saj, Mareglen Tomori, në zonën e Kinostudios.
Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur në një vilë trekatëshe në rrugën “Hysen Xhura”, në pronësi të Tomorit. Ky i fundit kishte punësuar prej kohësh një shtetas të huaj, me leje qëndrimi në Shqipëri, i cili jetonte në katin e parë të vilës dhe kujdesej për ambientet e jashtme.
Hetimet tregojnë se pas konflikteve të mëparshme mes ish-bashkëjetuesve, Alma Bime dyshohet se ka djegur krevatin e Tomorit brenda vilës. Më pas, sipas denoncimit, ajo është përfshirë në një përplasje edhe me punëtorin e huaj, të cilin e ka akuzuar për bashkëpunim me ish-bashkëjetuesin dhe e ka kërcënuar se do t’i hiqte lejen e qëndrimit në Shqipëri.
Denoncimi është depozituar nga Mareglen Tomori, i cili ka paraqitur si prova mesazhet kërcënuese dhe ka marrë dëshmitar edhe shtetasin e huaj, për të vërtetuar pretendimet ndaj Bimes.
Ndërkohë, kujtohet se në muajin shtator Policia e Tiranës arrestoi vetë Mareglen Tomorin, nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj Alma Bimes. Pas kallëzimit të saj, gjykata kishte lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje në favor të drejtoreshës së Ministrisë së Brendshme.