Dy persona janë gjetur të vdekur ditën e sotme në një vilë-motel në Pejë rreth orës 15:10.
Sipas raportimeve të korrespondentes së Top Channel, Leonita Bajrami, bëhet fjalë për një djalë rreth 30 vjeç dhe një vajzë rreth 20 vjeç.
Arsyeja e vdekjes së tyre nuk dihet ende. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe për të përcaktuar nëse vdekjet janë pasojë e një ngjarjeje natyrale, aksidenti apo një vepre penale.
“Me të pranuar informatën menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, dyshohet se ishin pa shenje jete në një motel. Në vendin e ngjarjes kanë dalë kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës dhe prokurorja e Krimeve të Rënda dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes duke siguruar provat të cilat do të shërbejnë në veprimet e mëtutjeshme. Njëkohësisht janë identifikuar dëshmitarë, është ftuar Mjekësia Ligjore për t’i tërhequr trupat e pajetë dhe me urdhër të shtetit të bëhet autopsia. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të jepen detaje më shumë”, ka deklaruar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.