Apeli i Tiranës heq sekuestron e 50 milion eurove pasuri të Elman Abules dhe Kristian Boçit, kërkesa e prokurorisë kthehet për rigjykim

Gjykata e Apelit të Tiranës ka hequr sekuestron mbi pronat e biznesmenëve Elman Abule dhe Kristian Boçi, duke prishur vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Tiranës dhe duke e kthyer çështjen për rigjykim.

Në një komunikim zyrtar, Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë bën me dije se, pas ankimit të paraqitur nga personat nën hetim, ka vendosur: “Prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me tjetër trup gjykues.”

Ndërkohë, mbi bazën e rekursit të paraqitur nga të hetuarit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur “mospranimin e rekursit”. Pas këtij vendimi, kërkesa e prokurorisë për vendosjen e sekuestros, e kthyer për rigjykim, i është caktuar me short elektronik gjyqtarit Altin Abdiu.

Në zbatim të orientimeve të Apelit dhe pas shqyrtimit në “Dhomë këshillimi”, gjyqtari Abdiu ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros mbi pronat e Abules dhe Boçit.

Ky vendim nuk është ankimuar nga prokurorja e çështjes dhe, për pasojë, ka marrë formë të prerë më datë 17.10.2025.

Në komunikim kujtohet gjithashtu se, sipas nenit 103, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale, “ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve josekrete deri në përfundimin e hetimeve paraprake”, ndërsa vendimi u komunikohet vetëm palëve në proces.

Sekuestrimi i aseteve erdhi pasi sipas prokurorisë, këta persona janë dënuar në Belgjikë për trafikimin e lëndëve narkotike, dhe bizneset në Shqipëri janë përfituar përmes skemës së pastrimit të parave, pjesë e të cilës janë edhe familjarë të tyre.