Po bënte palestër, ndërron jetë nga arresti kardiak gazetari dhe ish-basketbollisti Enea Andrea, vëllai binjak i aktores Ema Andrea

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sportin dhe median shqiptare. Enea Andrea, ish-basketbollist i Dinamos dhe i Kombëtares shqiptare, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare, teksa po kryente aktivitet fizik në palestër.

Sipas informacioneve, Andrea është ndjerë keq gjatë ushtrimeve dhe, pavarësisht ndihmës së dhënë, nuk ka mundur t’i mbijetojë një arresti kardiak. Burime pranë familjes bëjnë me dije se ai kishte shfaqur edhe më herët probleme shëndetësore.

Kohët e fundit, Enea Andrea ishte aktiv edhe në fushën e medias sportive, ku komentonte ndeshjet e NBA-së në një prej platformave sportive në vend.

Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka shkaktuar tronditje të madhe te familjarët, miqtë dhe komuniteti sportiv. Andrea ishte gjithashtu vëllai binjak i aktores së njohur Ema Andrea.

Humbja e tij ka lënë pas dhimbje dhe pikëllim të thellë tek të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të.