Është mbyllur me vendim mosfillimi referimi penal i Komisariatit Nr.1, i regjistruar në gusht 2025, për pretendimin e rrëmbimit të ish-drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.
Vendimi është marrë nga Prokuroria e Tiranës, pas një sërë veprimesh hetimore që përfshinë këqyrjen e pamjeve filmike, marrjen e tre deklarimeve nga Daniel Shima, tre deklarimeve nga e fejuara e tij (avokate) dhe dy deklarimeve nga nëna e tij, L. Shima. Në përfundim, prokuroria ka dalë në konkluzionin se Shima është larguar nga banesa me dëshirën e tij, pa u ndikuar apo detyruar nga persona të tretë.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se SPAK nuk ka shfaqur interes për këtë çështje dhe nuk ka marrë asnjë deklarim nga Daniel Shima. Madje, në dosjen e mosfillimit ndodhet edhe një kthim-përgjigje zyrtare nga kreu i SPAK, Altin Dumani, ku informohet se ndaj Daniel Shimës nuk ka pasur asnjë hetim në Strukturën e Posaçme.
Sipas të dhënave, Shima është marrë në pyetje një herë në Komisariatin Nr.1 dhe dy herë në Prokurorinë e Tiranës, duke mbajtur të njëjtin qëndrim. Ai ka pohuar se “zhdukja” e tij dhe shkëputja e kontakteve me të fejuarën dhe nënën kanë qenë tërësisht vullnetare.
“…Mos më thërrisni më për të më pyetur…”, mësohet t’i ketë thënë Shima oficerit të prokurorisë gjatë veprimeve hetimore për largimin nga banesa më 20 gusht 2025.
Sa i përket SMS-së me tekstin “…po më arrestojnë…”, dërguar të fejuarës së tij, Shima e ka shpjeguar se mesazhi është dërguar në gjendje të rënduar emocionale, pas një konflikti momental në çift. Të njëjtin shpjegim ka dhënë edhe e fejuara e tij në deklarimet para prokurorisë.
Edhe nëna e tij, L. Shima, ka deklaruar se i biri e kishte inskenuar vetë situatën, për shkak të konfliktit në çift, duke shtuar se aktualisht çifti është pajtuar dhe jeton bashkë.
Pamjet filmike të sekuestruara nga disa biznese kanë treguar se Daniel Shima ka qenë i vetëm në automjetin e tij. Një kamerë në zonën e rrethrrotullimit të Fakultetit Ekonomik, në rrugën e Elbasanit, e ka fiksuar qartë i pashoqëruar, disa minuta pasi kishte dërguar mesazhin “…po më arrestojnë…”.
Në përfundim, Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se Shima ka shkëputur vetë kontaktet dhe nuk është marrë forcërisht, duke mbyllur kështu çështjen me vendim mosfillimi.