Ilir Meta kallëzon në SPAK drejtorin e Burgjeve! “Më janë mohuar në mënyrë arbitrare të drejtat themelore”

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut.

Në kallëzimin e dorëzuar, Meta pretendon se autoritetet e paraburgimit në Tiranë i kanë ndaluar në mënyrë arbitrare ushtrimin e aktiviteteve sportive, takimet me strukturat drejtuese të Partisë së Lirisë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, eurodeputetë, si edhe komunikimin me mediat.

Sipas dokumentit të depozituar në SPAK, drejtori i Burgjeve ka konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, përmes veprimeve dhe mosveprimeve që, sipas Metës, kanë cenuar drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e tij personale.

“Autoritetet e këtij institucioni kanë përdorur mënyra nga më të ndryshmet për ndalimin e ushtrimit të aktiviteteve sportive, takimet me anëtarët e kryesisë së Partisë së Lirisë, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, eurodeputetëve, takime apo komunikime me mediat, si dhe ndalimin e përdorimit të çdo forme argëtimi”, thuhet në shkresën drejtuar SPAK.

Meta thekson se, pavarësisht rekomandimeve të Avokatit të Popullit, situata nuk ka ndryshuar dhe, sipas tij, autoritetet e paraburgimit kanë vijuar me të njëjtën sjellje që ai e cilëson si persekutuese. Për të mbështetur pretendimet e tij, ish-presidenti ka bashkëngjitur në kallëzim edhe rekomandimin zyrtar të Avokatit të Popullit për trajtimin e personave në paraburgim.

Në dokument theksohet se ndaj tij është ushtruar persekutim politik dhe se janë shkelur liritë dhe të drejtat e garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, si edhe standardet e Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës.

“Ndaj politikanit dhe presidentit të Partisë së Lirisë janë mohuar të drejta themelore të sanksionuara në legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar”, thuhet më tej në kallëzim.

Në fillim të muajit dhjetor, një inspektim i Avokatit të Popullit në ambientet e paraburgimit, pas ankesës së Metës, evidentoi një sërë problematikash lidhur me kushtet dhe trajtimin e tij. Sipas raportit zyrtar, ish-presidenti nuk po trajtohet në përputhje me standardet ligjore në fuqi.

SPAK pritet të shqyrtojë kallëzimin dhe të vendosë për veprimet e mëtejshme procedurale.